Mjedisi ne Elbasan!

Tre muaj ferri, mund të quhen ato që sapo lamë pas për qytetin e Elbasanit, që iu desh të jetojë ditë e natë mes makthit të tymrave helmues të çliruar nga djegia e plehrave jo shumë larg qytetit. Prej vitesh, ky ritual vazhdon të përsëritet, ndonëse qytetarët janë në pritje për ndërtimin e një landfilli të ri që do t’i jepte fund ndotjes në këtë qytet. Edhe këto muaj të nxehtë emetuan sasira të mëdha helmesh në mushkëritë e elbasanasve. Por sa problem serioz janë plehrat dhe ndotja në Elbasan dhe sa e rëndësishme është ajo në krahasim me problemet e tjera që ka qyteti? Për këtë ne kemi zhvilluar një intervistë me ambientalistin dhe Kreun e Klubit Ekologjik në Elbasan z. Ahmet Mehmeti. Ai tregon mbi faktorët ndotës të qytetit, veprimtaria industriale, ndotja urbane si dhe djegia e plehrave, çka e bën Elbasanin qytet mes tri zjarreve. Por veç kësaj z. Mehmeti sugjeron dhe zgjidhjet përkatëse si dhe përgjegjësitë e çdo institucioni për të marrë përsipër rolin ligjor në minimizimin e ndotjes në këtë qytet. Ahmet Mehmeti gjithashtu thotë se një rol të madh në këtë proces ka edhe shoqëria civile, e cila duhet të ushtrojë me shumë presion që zgjidhja të vijë sa më shpejtë. Ai e sheh rolin e shoqërisë civile si shumë të rëndësishëm në pushtetin që ajo ka, për të imponuar zgjidhjen e problemeve. Ju jeni një ndër aktivistët e shoqërisë civile, i angazhuar në mbrojtje të mjedisit në Elbasan, a mund të na tregoni se sa problematike është situate në Elbasan? Qyteti i Elbasanit dhe zonat rreth tij, ku përveç qyteteve Cerrik dhe Belsh përfshihen disa komuna si Papri, Bradasheshi, Shushica, Gjergjani, Shirgjani etj, janë nga më të ndoturit në Republikë. Në mënyrë të veçantë ndotja mjedisore rëndohet gjatë periudhës së verës për shkak të djegies së mbeturinave të ngurta urbane. Vendgrumbullimi i tyre në anë të lumit Shkumbin, në afërsi të varrezave të qytetit është kthyer aktualisht në një varrezë të hapur që emeton në ajër dioksina dhe furone kurse në ujin e lumit, llumra dhe lëngje nga më helmuesit si dhe metale të rëndë me pasoja akoma më të mëdha për shëndetin e njerëzve, bimëve dhe kafshëve. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto, problematike mbeten edhe ndotjet e ajrit, ujit dhe tokës që vinë nga operatorët industrialë, të cilët nuk i vendosin gjithmonë filtrat në punë dhe nuk janë pajisur me impianate për trajtimin e ujrave ose nuk i trajtojnë ato sipas detyrimeve që kanë në lejet mjedisore. Një problem tjetër është përdorimi i karburanteve pa cilësinë e duhur në mjetet e transportit etj. Cilët janë ndotësit më të mëdhenj të këtij qyteti dhe cilat janë pasojat konkrete të ndotjes tek njerzit? Siç e theksova më parë, ndotësit kryesorë janë vendgrumbullimet e vjetra të mbeturinave të ngurta urbane, të cilat aktualisht nuk zbatojnë standard ligjor, pra janë në gjendje skandaloze, me rrezikshmëri jashtëzakonisht të madhe. Një grup tjetër ndotësish të mëdhenj janë operatorët industrialë në ish Kombinatin Metalurgjik që emetojnë tymra, gaze dhe pluhura me ngjyra nga më të ndryshmet, njëra më helmuese se tjetra. Aktualisht çdo ditë mund të shihni në Kurum Internacional pluhurin e dendur që shkaktohet nga copëtimi i skrapit në fushën përkatëse dhe ku nuk zbatohet as trajtimi më i thjeshtë teknik. Po ashtu në Albania Crom vërehet çdo ditë tym i zi në blu që rëndon më shumë renë e smogut që ngrejnë sëbashku të gjithë operatorët e tjerë më të vegjël por që janë shtuar shumë në këtë zonë industriale. Të gjitha këto lloj ndotjesh në ajër, ujë dhe tokë, ndikojnë fuqishëm në shëndetin e njerëzve me sëmundje në të gjithë organet e njeriut si lëkura, qarkullimi i gjakut dhe zemra, mushkëritë, sistemi nervor etj, duke shkaktuar, ulje të aftësive në punë, dobësim të përgjithshëm, sëmundje të organeve përkatëse deri ato tumorale dhe kanceroze, neuroza dhe deri në përcudnime gjenetike duke filluar nga të porsalindurit. Duke u ndotur toka me metale të rënda, hidrokarbure, etj ndoten edhe produktet ushqimore që nëpërmjet zinxhirit ushqimor kalojnë në organizmin e njeriut me pasoja shumë të rënda, që jo rrallë janë të pashërueshme. Cili është roli i shoqërisë civile në procesin e parandalimit të kësaj gjendjeje? Shoqëria civile ka një rol të veçantë për të bashkëpunuar me institucionet për uljen e ndotjes në kuadrin e mbrojtes së mjedisit në tërësi dhe të cilësisë së jetës në mënyrë të veçantë. Roli i saj është në sensibilizimin (t`i bëjë të ndjeshëm) institucionet vendore dhe qendrore, organet kompetente përgjegjëse për gjendjen aktuale dhe perspektivën e zhvillimeve. Një tjetër rol shumë i rëndësishëm i shoqërisë civile është hartimi i strategjive dhe politikave mjedisore që i propozohen dhe kërkojnë miratimin e vendimarrësve për zhvillimin e qëndrueshëm etj etj. Dhe së fundi edhe presionet e shoqërisë civile kanë rëndësinë e tyre. Ato kanë karakterin e letrave, peticioneve, protestave, grevave etj dhe kur janë organizuar me pjesëmarrje të madhe kanë dhënë rezultate parandaluese shumë të mëdha dhe prandaj duhet patur parasysh si mjet i fundit për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme mjedisore. Po institucionet përgjegjëse kush janë dhe a e kanë kryer ato rolin e tyre për të minimizuar faktorët ndotës në Elbasan? Institucioni kryesor përgjegjës është prefetkura, pasi i takon të mbrojë ligjet, në rastin konkret ndotja është shkelje ligjore. Por ka organe më të specializuara dhe më të drejtpërdrejta që janë inspetkoriatet e ndryshme që sapo janë organizuar dhe prej tyre pritet që ta ndryshojnë për mirë mjedisin, në mënyrë të dukshme dhe të shpjetë, duke zbatuar me vendosmëri sanksionet ligjore. Keni propozuar zgjidhje për problemin e fushës së plehrave dhe cila është ajo? Klubi Ekologjik Elbasan, që është një nga shoqatat mjedisore në këtë Qark, ka hartuar Strategjinë e Verpimit për trajtimin e integruar të mbeturinave urbane, në bashkëpunim me të gjithë autorët dhe faktorët për Qarkun e Elbasanit. Në këtë strategji janë parashikuar të gjitha zgjidhjet dhe ajo është miratuar në Këshillin e Qarkut në mars të vitit 2010 por pret që të zbatohet dhe këtu punët nuk shkojnë mirë. Po ndotja nga veprimtaria industriale çfarë roli ka pasur? Megjithëse ndotja nga veprimet industriale ka një përmirësim në krahasim me të kaluarën shumë të rënduar, sot ajo herë pas here del në plan të parë për mospërdorim të filtrave për kursim energjie, moszbatim të rregullave teknike në disa operacione, përdorim të karburanteve të palejueshme etj. Të gjitha këto kanë sjellë shqetësime shëndetësore tek banorët e qytetit dhe rrethinave. Organet kopetente e kanë detyrë ta venë në fokusin e tyre, pasi është vetëm kërkesë për zbatimin e ligjit që ndryshon shumë nga trajtimi i mbeturinave urbane i cili kërkon politika fiskale, edukim afatgjatë, përfshirje publike, fonde të mëdha në fazën e parë për ngritje vendgrumbullimesh që plotësojnë standardet etj etj.